Fondacioni ‘Hasan Prishtina’ bashkë me Bashkinë Kukës këto ditë organizon inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina, kryeministri i 8 i shtetit shqiptar.
Stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina njëherësh drejtor i fondacionit tha se vendosja në Kukës e bustit të Hasan Prishtinës është një moment I jashtëzakonshëm.
Ndërkohë eshtrat e Hasan Prishtinës prehen në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Kukësit.
Vite më parë Kosova kërkoi nga Tirana zyrtare kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës dhe të prehen pranë Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit.
Por stërnipi i heroit kombetar shprehet se eshtrat e Hasan Prishtinës bashkë me të patriotëve të tjerë duhen të vendosen në një panteon (Ndërtesë madhështore ku ruhen eshtrat e njerëzve më të shquar të një kombi) që i mungon kombit shqiptar që sipas tij mund të ndërtohet në Prizren në qytetin e Lidhjes Shqiptare.
‘Ne na mungojnë varrezat e panteonëve. Kërkesa ime ka qenë që eshtrat e Hasan Prishtinës duhet të varrosen së bashku me figura të tjera të shquara. Derisa kjo të ideohet jemi të mendimit që Hasan Prishtina të pushojë në Kukës. E kemi hedhur si ide, edhe Prizreni është një vend ideal ku Shqipëria dhe Kosova të mendojnë se ku duhet të jenë varrezat e Panteonëve’- u shpreh ai.
Që nga viti 1977 me një vendim të qeverisë së Shqipërisë, eshtrat e tij, u sollën nga Selaniku në Kukës dhe aktualisht qëndrojnë në varrezat e dëshmorëve.Luma Post