Është liruar nga burgu ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.
Ndërsa lajmin e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.
Në vendimin e Speciales thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë Raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:
garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;
të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;
të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;
Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;
të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;
të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS.
“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me z. Haradinaj. Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, Kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit. Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij. Konkretisht, Kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thuhet në njoftim.