Avokati, Shkelzen Sopjani, ka thënë se ekzistojnë metoda që çojnë në zbulimin e vrasjes së Liridona Ademajt, për ekzekutimin e së cilës janë arrestuar katër të dyshuar, përfshirë edhe bashkëshortin e saj Naim Murseli.
Sopjani ka theksuar se ndonëse motivi është shumë kompleks, megjithatë rasti duhet t’u lihet në dorë organeve dhe ka mënyra se si vihet deri te zbulimi i motivit.
Ai pohon se ka krime që janë shumë afër perfeksionit, por në rastin e Liridona Ademajt, Sopjani thotë se autorët kanë qenë shumë amatorë
“Krime perfekte nuk ka, por ka krime që janë shumë afër perfeksionit. Gjithmonë krimineli është një hap para policisë, dhe kjo është e ditur, sepse ai është ai që e bën planin e këta janë në ndjekje të tij. Një pjesë e hetimit po shihet se ka përfunduar, por është shumë me rëndësi të zbulohet motivi, sepse motivi i veprës është shumë i rëndësishëm. Motivi në këtë rast është kompleks, sepse zbulimi i motivit në një rast penal e përcakton se a kemi të bëjmë me vrasje të rëndë dhe përcakton edhe përfshirjen e personave të tjerë në vepra penale, vepra të tjera penale që ndërlidhen me këtë vepër penale. Ka shumë spekulime sa i përket motivit. Duhet t’iu lihet organeve dhe ka mënyra se si vihet deri te zbulimi i motivit. Motivi ka mbetur te porositësi, sepse motivi i dorasit është zbuluar, ai financiar. Metoda është edhe (vlerësimi) psikologjik i personit në fjalë, mbledhja e informacionit nga personat që e njohin. Vëllai i Liridonës duhet t’iu ofrojë hetuesve emrat që e kontaktuan”, tha ai, në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini.